1. Shko tek menuja
  2. Shko tek permbajtja
  3. Skip to Footer

Mjediset e FIMIF, sallat laboratoret

mjedisetMjediset dhe asetet e duhura për kryerjen e procesit mësimor: sallat e leksioneve, laboratorët, mjetet e pajisjet për përgatitjen teorike dhe praktike
Studentë e Ciklit të Dytë “Master i Shkencave” e zhvillojnë procesin e tyre mësimor kryesisht në mjediset e FIM&IF, fakultet modest që  siguron ecuri normale të procesit mësimor e pedagogjik. Në mjediset e fakultetit ndodhen salla e leksioneve, e seminareve, laboratoret e informatikës, fizikës speciale. Laboratoret e lëndëve inxhinierike (Elektronikë, Teknologji komunikimi, Automatika) zhvillohen në laboratoret e FTI dhe FIE në godinën qendrore të UPT-së. 
Teknologjitë e informcionit
Lidhja me internetin ofrohet në çdo PC në FIM&IF. Në shërbim të studentëve është 1 sallë kompjuterash, ku aktualisht ndodhen 15 të tillë. Aty qëndron një punonjës (personel ndihmës, laborant), i cili ndihmon studentët për të punuar, si dhe i asiston për probleme të ndryshme që mund të hasen gjatë punës së tyre. Edhe në bibliotekë, krahas 1 kompjuteri për punonjësin, ndodhen edhe 5 kompjutera të tjerë në shërbim të studentëve, edhe këta të lidhur me internet. Në ambjentet e FIM&IF ofrohet Internet falas për të gjithë studentët.
Biblioteka dhe kapaciteti i tyre në raport me stafin dhe studentët
Biblioteka është pjesë e rëndësishme e infrastrukturës mësimore e shkencore të FIM&IF.
Biblioteka e FIM&IF është krijuar në Janar 2010, në pritje të vendimit të Rektoratit UP që të funksionojë si një Filial i BSHUP (Biblioteka Shkencore e Universitetit Politeknik). Kjo do shoqërohej menjëherë me pasurimin e Bibliotekës së FIM&IF me atë pjesë të titujve librorë e periodikëve shkencore që sot gjenden në Fondin e BSHUP dhe që do t’i sherbenin procesit mësimor të Departamenteve pranë FIM&IF (Departamenti i Inxhinierisë Matematike, Departamenti i Inxhinierisë Fizike, Departamenti i Kimisë si dhe Qendrës së  Gjuhëve të Huaja).
Biblioteka e FIM&IF krahas shërbimit me Fonde të Hapura  po punon paralelisht për krijimin e Bibliotekës Tradicionale, me Depozitë literature dhe Automatizimin e Fondit ekzistues libror e periodik.
Krahas saj, biblioteka po përpiqet të sigurojë botime të reja (të pas viteve 2000) me qëllim që materialet që shërbehen të jenë sa më bashkëkohore. 
Në vijim të automatizimit të bibliotekës, jemi në pritje të instalimit të programit PROSITE nga BSHUP gjë që lejon shërbim sa më të shpejtë ndaj studenteve për përgatitjen e tyre gjatë vitit shkollor.
Biblioteka përmban një fond që pasurohet vazhdimisht me tekste mësimore, libra dhe periodikë shkencorë në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të huaj (kryesisht në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht dhe greqisht, të cilët janë të domosdoshëm për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor në programet e Diplomës së Nivelit të Parë dhe të Dytë si edhe në programet Master në të gjitha fakultetet e FIM&IF. Një pjesë e teksteve dhe monografive që përdoren si materiale bazë, apo rekomandohen në programet mësimore disponohen në disa kopje. Kur biblioteka e disponon një tekst bazë në një kopje të vetme, ai shumëfishohet përmes fotokopjimit dhe vihet në dispozicion të studentëve në sasi të mjaftueshme.
Biblioteka ka në fondin e saj mbi 450 tituj librash (tekste, monografi, manuale, fjalorë, enciklopedi), disa prej të cilave disponohen deri në 3 kopje, ndonjëherë edhe 5 kopje. Këta tituj përfaqësojnë të gjitha disiplinat që përbëjnë programin akademik të FIM&IF. Numri i titujve të librave që disponohen dhe vihen në shërbim të stafit akademik dhe studentëve ka ardhur duke u rritur nga muaji në muaj. Për të përmbushur nevojat e stafit akademik dhe kërkimor-shkencor, biblioteka porosit tituj të ndryshëm përmes lidhjeve që ka siguruar me Slloveninë.
Biblioteka e FIM&IF disponon gjithashtu një koleksion periodikësh shkencorë (243 peridikë) në fusha të ndryshme, në shqip dhe në gjuhë të huaj. Një pjesë e tyre në shqip po sigurohen përmes abonimit vjetor e në vazhdimësi (“Buletini i shkencave natyrore” dhe “Buletini i shkencave teknike”).
Për t’u ardhur në ndihmë sa më mirë studentëve dhe pedagogëve me literaturë (libra dhe revista akademike) të arkivuar në sistemet e bibliotekave elektronike, biblioteka mundëson shfrytëzimin falas të titujve dhe librave elektronikë bashkëkohorë të shkencave inxhinierike matematike dhe fizike (600 tituj) në Great Science Textbooks DVD Library 2007.
Për të vënë në dijeni stafin dhe studentët për titujt e rinj që i shtohen fondit të saj, biblioteka synon të organizojë periodikisht vitrinën e librit të ri.
Në Bibliotekë studentët mund të printojnë apo të fotokopjojnë materialet përkatëse.
Mbulimi i lëndëve e kurseve të studimit me literaturë shtesë nga fondi i bibliotekave qendrore apo të njësive (departamenteve)
Për të siguruar mbulimin e të gjitha disiplinave që zhvillohen në programet e ciklit të dytë “Master i Shkencave”, biblioteka e fakultetit ka lidhje me bibliotekën e UPT, UT, gjithashtu janë krijuar lidhje bashkëpunimi me Bibliotekën Kombëtare, me filialet e disa fakulteteve të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe synohet të arrihet lidhja në rrjet e filialeve të BSHUP me Bibliotekën Kombëtare. Në këtë mënyrë biblioteka disponon listën e plotë të të gjitha botimeve (libra, tekste dhe monografi) që ndodhen në fondin e Bibliotekës Kombëtare, dhe në Librarinë Universitare, për fushat e Fizikës, të cilat përbëjnë drejtimet e studimeve akademike të FIM&IF. Për të përmbushur nevojat e stafit pedagogjik dhe të studentëve Biblioteka e FIM&IF huazon libra dhe tekste nga BSHUP dhe filialet e saj dhe e pasuron fondin e saj me botimet e domosdoshme për këtë qëllim nëpërmjet donacioneve nga individë të shkencave inxhinierike, nga fondacione e ambasada (p.sh. Ambasada amerikane, japoneze ka dhuruar nje sërë librash në anglisht në këto fusha) .
Shërbime të tjera për studentët: salla studimi, fotokopje, printim, kërkim literature, shërbim informacioni, stafi i shërbimit etj.
Në ambientet e bibliotekës studentët kanë mundësi të studiojnë në qetësi dhe të rrethuar nga shumë tituj librash. Biblioteka ka një sipërfaqe prej rreth 39 metra katror, 6 poste pune me kompjutera për stafin dhe studentët, mundësi lidhje me internet si dhe 36 vende studimi. Në ndihmë të studentëve punon një punonjës i kualifikuar dhe me përvojë. Gjithashtu për kërkimin e literaturës është në proçes krijimi i një filiali të bibliotekës shkencore me profilet: matematikë, fizikë, kimi, gjuhët e huaja e konceptuar kjo në raport me numrin e studentëve. Për sa i përket shërbimit të informacionit është parashikuar : shërbim paralel, katalogizim, virtualizim dhe fonde të hapura.
Për studentët ofrohet shërbimi i fotokopjes, i cili mundësohet nga një pajisje  e avancuar e markës Konica Minolta me një shpejtësi prej 120 faqesh në minutë, si dhe nga një fotokopje Samsung me kapacitet më të vogël. Studentët asistohen nga punonjësi i bibliotekës i specializuar për këtë proces.
Salla e kompjuterave është në dispozicion të studentëve çdo ditë shkollore.( Studentët kanë në dispozicion 15 poste pune me komjutera të markës ACER model i 2010 internet pa limit të një cilësie shumë të mirë.
Studentëve u ofrohet informacioni i nevojshëm nëpërmjet:
Ø  Stafit, i cili përbëhet nga 2 sekretare, 1 punonjës i bibliotekës, nga punonjësit e zyrës së financës, si dhe nga çdo anëtar i stafit drejtues dhe akademik.
Ø  Rregullores, e cila i vihet në dispozicion studentit, si pjesë integrale e kontratës që lidh me FIM&IF. Nëpërmjet saj studentët njihen me mënyrën se si FIM&IF vepron, të drejtat dhe detyrimet përkatëse, si dhe me mënyrat se si funksionojnë marrëdhëniet mes palëve.
Ø  Faqes zyrtare në internet, ku afishohen të gjitha njoftimet përkatëse, si dhe komunikimi nëpërmjet postës elektronike.
Ø  Tabelave afishuese, ku shpallen njoftime të ndryshme; ka rreth shtatë tabela të tilla (për lajmërime, orarin, afishime të ndryshme)
Personeli administrativ dhe ai ndihmës mësimor përbëhet nga Konkretisht: kancelari, 2 sekretare, financierja, punonjësi i bibliotekës, punonjësi i sallës së kompjuterave, dy punonjëse sanitare dhe një punonjës mirëmbajtjeje.
Shërbime të tjera për stafin dhe studentët: mjedise sportive, çlodhëse, argëtuese etj.
Për krijimin e një ambienti sa më komod dhe funksional, në ambientet e FIM&IF ndodhet një holl për studentet dhe stafin në rastin kur ata zhvillojnë veprimtari kulturore e argëtuese.
Në katin e parë të godinës ndodhet holli, i përshtatshëm për qëndrim dhe çlodhje. Në mjediset e FIM&IF nuk mungojnë pikturat apo fotografitë e ndryshme, shoqëruar me një dekor shumë funksional, i përshtatshëm për organizimin e aktiviteteve dhe ceremonive të ndryshme.
Shërbime të tjera për komunitetin: informacion, marrëdhënie më publikun, shërbime për të tretë etj.
FIM&IF është angazhuar që në fillimet e tij për të luajtur një rol të rëndësishëm në shërbimet ndaj komunitetit. Këto shërbime ndahen në disa kategori kryesore:
  1. Orientimin e maturantëve për të kuptuar sistemin evropian të arsimit të lartë si dhe përputhjen e studimeve të larta me tregun e punës. FIM&IF ofron sesione orientimi me maturantët për qëllimet e mësipërme. Ky shërbim ofrohet dhe realizohet falas për të gjithë shkollat e mesme të Tiranës.
  2. Dhurim vullnetar i gjakut për fëmijët talasemikë. Ky dhurim realizohet një herë në vit, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar

Njoftime