1. Shko tek menuja
  2. Shko tek permbajtja
  3. Skip to Footer

Sigurimi i cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor

quality4websiteSistemi i Brendshëm i Sigurimit të Cilësisë, Institucionalizimi i sistemit të brendshëm të sigurimit të cilësisë
FIM&IF-i ka plotësuar të gjitha strukturat drejtuese, si për sa i përket autoriteteve drejtuese, ashtu edhe organeve drejtuese, konform kërkesave të Ligjit Nr. 9741, “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”,  të datës 21.05.2007, i ndryshuar.
Cilësia e mësimdhënies është objekt i një kontrolli dhe vlerësimi të vazhdueshëm, si nëpërmjet pyetësorëve të plotësuar prej studentëve për të marrë mendimin e tyre në lidhje me mësimdhënien në të gjitha lëndët; sekretarisë mësimore, nëpërmjet ndjekjes së vazhdueshme të kryerjes së plotë të orëve mësimore; vlerësimit të drejtuesve, nëpërmjet kontrolleve gjatë zhvillimit të orëve të mësimit.
Të gjithë pedagogët kanë detyrimin të përmbushin standardet e kontrollit të njohurive të studentëve, përmes realizimit të provimit të ndërmjetëm, detyrave të kursit dhe provimit përfundimtar, në varësi të llojit të lëndës që zhvillojnë. Për këtë qëllim janë konceptuar dhe krijuar standarde të cilat lehtësojnë dhe ndihmojnë në rritjen e cilësisë së vlerësimit dhe kontrollit të dijes.
Për hartimin e programeve të lëndëve që janë pjesë e programeve të studimit është konceptuar një format zyrtar, ku theksi është vendosur paraqitjen e detajuar të çështjeve që do të mbulojnë temat që trajton lënda, si dhe të literaturës përkatëse, të detyrueshme dhe plotësuese, literaturë e cila përzgjidhet me kujdes pas një konsultimi të gjerë me ekspertë të fushës përkatëse.
Seminaret zhvillohen në mënyrë interaktive, me synim inkurajimin e pjesëmarrjes së studentëve në diskutime, proces përmes të cilit ata arrijnë të qartësojnë dhe krijojnë ide, të bëjnë gjykime të vlefshme, të analizojnë situata dhe të marrin vendime të arsyeshme, të zgjidhin probleme, të arsyetojnë në mënyrë inteligjente, të formulojnë dhe realizojnë qëllime të caktuara.
Rëndësi e veçantë i është dhënë konceptimit dhe formatimit detyrave të kursit, ku kërkohet që pedagogu të bëjë një vlerësim të detajuar dhe të argumentuar të cilësive të punimit, sipas komponentëve të zhvillimit të saj. Ky vlerësim i shërben studentit për të kuptuar se si mund të përmirësojë punën e tij. Sidomos në vitet e para të studimit, temat propozohen nga pedagogu për dy arsye kryesore: së pari, për t’i orientuar studentët në mënyrën se si duhet konceptuar një detyrë, e cila të jetë e fokusuar dhe e realizueshme; së dyti, për të minimizuar problemin e dorëzimit të detyrave të gatshme, të shkruara nga vetë studenti ose të tretë për synime jashtë lëndës.
Thelbësore në suksesin e misionit edukues të FIM&IF është përkushtimi ndaj parimeve të integritetit akademik. Çdo anëtar i komunitetit universitar është përgjegjës për garantimin e një niveli të lartë të ndershmërisë në çdo kohë dhe rrethanë. Studentët, si anëtarë të këtij komuniteti, janë përgjegjës për ndjekjen dhe respektimin e parimeve dhe frymës së Kodit të Integritetit të UPT. Ky Fakultet është i vendosur të mbështesë standardet më të larta të integritetit, ndershmërisë morale dhe përgjegjësisë, të cilat janë baza e këtij institucioni. Ai pranon përgjegjësinë e tij për krijimin e një mjedisi të shëndetshëm, pa diskriminim, të bazuar në meritat e secilit.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet qartësimit të studentëve, si për sa i përket çështjeve me karakter akademik, ashtu edhe atyre me karakter social; nxitjes së kuriozitetit intelektual, si dhe inkurajimit të studentëve për të përfituar nga mundësitë që ofrohen, me qëllim që të bëhen vetë-udhëheqës të edukimit gjatë gjithë jetës, si dhe të aftësimit në vendimmarrje.
Krahas mësimdhënies, një prej dimensioneve të rëndësishme është edhe kërkimi shkencor, në përputhje me filozofinë, misionin e FIM&IF, interesat e tij, të stafit akademik dhe studentëve, si dhe me kapacitetet njerëzore dhe financiare që zotërohen. Kërkimi shkencor është institucionalizuar përmes krijimit të instituteve dhe grupeve të kërkimit.
Ngritja e Njësisë së SBC dhe funksionimi i saj
Sistemi i brendshëm i menaxhimit të cilësisë sigurohet nëpërmjet:
  • strukturave organizative të FIM&IF dhe
  • Grupit të Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë (GSBC).
Të gjitha strukturat drejtuese (autoritetet dhe organet drejtuese), janë përgjegjëse për ndjekjen e përditshme të sigurimit të cilësisë nëpërmjet planifikimit, organizimit, zbatimit dhe monitorimit të zbatimit të politikave, strategjive dhe procedurave drejt arritjes së vizionit të FIMIF.
GSBC-ja, është ngritur me synim kryerjen periodike të vlerësimit të brendshëm të veprimtarisë së FIMIF, publikimin dhe diskutimin e rezultateve të raportit të vlerësimit me stafin drejtues dhe njësitë kryesore dhe bazë, me synim përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së performancës në të ardhmen.
GSBC-ja vlerëson efikasitetin e veprimtarive mësimore, kërkimore apo artistike, si dhe veprimtarive administrative dhe financiare të institucionit. Ai përgatit Dosjen e Vetëvlerësimit, pjesë e së cilës është edhe Raporti i Vetëvlerësimit. Objekti i Dosjes  së  Vetëvlerësimit është që  të paraqesë  ecurinë e veprimtarisë së FIM&IF  dhe të  bëjë  analizën  e aspekteve e treguesve të rëndësishëm të kësaj veprimtarie, e cila bën  të mundur evidentimin e pikave të forta, pikave të dobëta  dhe  perspektivën  e  zhvillimit të FIM&IF.
Ky grup ngrihet nën përgjegjësinë e Dekanit, pasi ky i fundit merr mendimin e Senatit Akademik dhe të Këshillit të Fakultetit. Ai përbëhet nga një strukturë organizative në të cilën parashikohet dhe shpërndarja e detyrave të anëtareve të tij.
Me qëllim rritjen e nivelit të cilësisë dhe shkallës së përgjegjësisë për menaxhimin e cilësisë, është garantuar ndarja e qartë e roleve, përgjegjësive dhe kompetencave jo vetëm e organeve drejtuese, por edhe e autoriteteve drejtuese deri në nivel departamenti. Këto janë të shprehura në rregulloret dhe udhëzimet e UPT, ku një numër i madh kompetencash dhe përgjegjësish u janë dhënë dekanëve dhe përgjegjësve të departamenteve.
 Dokumentacioni përkatës
  1. Udhëzimin mbi sigurimin e brendshëm të cilësisë;
  2. Urdhri i Rektorit për Grupin e Vetëvlerësimit;
  3. Dokumente themelore të UPT;
  4. Dosja e vlerësimit të studentëve;
  5. Dosja e vlerësimit nga Dekani;
  6. Regjistrat e sekretarisë për prezencën e pedagogëve.
  7. Dokumentacioni i sekretarisë mësimore dhe te zyrës së financës

 

Njoftime